Kina i kërkon Japonisë të mbajë një qëndrim të ndershëm dhe të përgjegjshëm ndaj historisë dhe të sigurojë besimin e fqinjve të vet me vepra. Kështu u shpreh të mërkurën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Hua Chunying në përgjigje të komenteve të bëra të martën nga kryesekretari i kabinetit japonez Yoshihide Suga lidhur me përgatitjet e Kinës për të përkujtuar 78-vjetorin e rezistencës ndaj pushtimit japonez. Suga tha se veprimtaritë përkujtimore me këtë rast nuk do të ndihmojnë për paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale.
Sivjet është 70-vjetori i fitores së Luftës së Rezistencës të Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe i luftës antifashiste botërore.
Në mbarë Kinën u zhvilluan të martën veprimtari për të përkujtuar "Incidentin e 7 Korrikut" të vitit 1937, kur trupat japoneze sulmuan urën "Lugou", e njohur edhe si Ura e Marko Polos, një pikë kyçe për hyrjen në Pekin.
Kina dhe bashkësia ndërkombëtare po përkujtojnë fitoren e Luftës së Dytë Botërore për të mos harruar historinë dhe për të gëzuar paqen, u shpreh Hua, duke shtuar se Kina është e angazhuar për rrugën e zhvillimit paqësor.
Njerëzit e angazhuar me të vërtetë për zhvillimin paqësor nuk i kundërshtojnë veprimtari të tilla, theksoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Hua Chunying. (Artani)