Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit e Kinës ka bërë të ditur se investimet për ndërtimin e rrjetit informatik sivjet pritet të arrijnë 435 miliardë juanë, ose 70 miliardë dollarë amerikanë.
Zëdhënësi i kësaj ministrie Zhang Feng thotë se ky veprim do të ndihmojë në nxitjen e konsumit dhe në tërheqjen e investimeve në këtë sektor. Zhang u shpreh:
"Në dy vjetët e ardhshëm, investimet në ndërtimin e rrjetit informatik mund t'i kalojnë 700 miliardë juanët. Kjo do të nxisë drejtpërdrejt dhe tërthorazi investimet në pjesën e poshtme dhe pjesën e sipërme të zinxhirëve industrialë përkatës. Lidhur me nxitjen e konsumit, investimi do të nxisë shitjen e pajisjeve të terminalit, duke përfshirë edhe telefonat smart, kompjuterat, televizorët me internet etj., që pritet të arrijë në më shumë se 1.6 trilionë juanë sivjet. "
Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit e Kinës është shprehur se do të mbikëqyrë kompanitë përkatëse për të ulur deri në fund të këtij viti tarifat mesatare për internetin në celular dhe brezin e gjerë fiks me të paktën 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar. (Artan Goga)