Ministrat e Jashtëm të Rusisë, Ukrainës, Francës dhe Gjermanisë u takuan në Paris për të diskutuar për krizën e Ukrainës.
Raundi i ri i përpjekjeve diplomatike synon frenimin e luftimeve në lindje të Ukrainës mes kryengritësve dhe forcave qeveritare.
Ushtria ukrainase akuzon kryengritësit për sulme artilerike në fshatrat në lindje.
Nëdrkohë, të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, nënshkruar në Minsk.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier ka bërë thirrje për respektim të marrëveshjes së Minsk-ut, e cila përfshin armëpushimin.
"Asnjë vend, as Franca dhe as Gjermania nuk mund të menaxhojnë gjendjen. Këtë gjë e bëjnë vetëm palët e përfshira në konflikt. Ata duhet ta marrin vetë iniciativën për respektimin e marrëveshjes së Minsk-ut."
Ndërkohë në Minsk, përfaqësuesit e Rusisë, Ukrainës e kryengritësit si dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) kanë zhvilluar gjithashtu bisedime mbi konfliktin ukrainas.
Megjithatë, asnjë rezultat konkret nuk u arrit nga këto bisedime.
Luftimet e përgjakshme mes forcave ukrainase dhe kryengritësve kanë vrarë të paktën 6,400 vetë në 14 muajt e fundit.