Kina është e gatshme të punojë me anëtarët e tjerë të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) për të pasur përparime të reja në bashkëpunimin e gjithanshëm duke shfrytëzuar samitin e ardhshëm të Ufas si platformë, u shpreh të mërkurën ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.
Gjatë një takimi të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OBSh-së të zhvilluar në Moskë, kreu i diplomacisë kineze theksoi rëndësinë e vazhdimit të unifikimit të kësaj organizate, duke shtuar se kjo përputhet me nevojat praktike të zhvillimit të shteteve anëtare dhe me prirjen e integrimit rajonal dhe është në të mirë të arritjes së objektivave afatgjatë të qëndrueshmërisë dhe përparimit të rajonit.
Wang bëri thirrje gjithashtu për planifikimin e përgatitjeve për zgjerimin e OBSh-së, duke rritur mbështetjen e ndërsjellë dhe bashkëpunimin për të mbrojtur interesat kryesore, duke konsoliduar dhe zgjeruar bashkëpunimin në fushën e sigurisë, si dhe duke rritur bashkëpunimin ekonomik e tregtar .
OBSh-ja është krijuar në vitin 2001 dhe Kina, Kazakistani, Kirgizistani, Rusia, Taxhikistani dhe Uzbekistani janë anëtarë të saj të plotë, Afganistani, India, Irani, Mongolia dhe Pakistani vëzhgues dhe Bjellorusia, Turqia dhe Sri-Lanka partnerë dialogu.
Rusia mban kryesimin e OBSh-së për vitin 2015 dhe një samit i kësaj organizate do të zhvillohet në kryeqendrën e Republikës ruse të Bashkortostanit Ufa në korrik. (Artan Goga)