Fjala kyçe: 安全---ān quán---Siguri
20150429anquan |
Komisioni Europian prezantoi të martën një axhendë të re të sigurisë për të goditur terrorizmin, krimin e organizuar dhe atë kibernetik. Në axhendë përfshihen masa si forcimi i shkëmbimeve të informacioneve midis vendeve anëtare të BE-së, si dhe forcimi i bashkëpunimit me Europolin .
Që nga fillimi i këtij viti, janë rregjistruar sulme terroriste të njëpasnjëshme në Francë, Belgjikë dhe Danimarkë. Ndërsa ditët e fundit, u mbytën në Mesdhe dy anije me refugjatë të paligjshëm. Sipas një sondazhi, europianët po shqetësohen për sigurinë e vet dhe përqindja e të intervistuarve që e konsiderojnë terrorizmin si sfida më e madhe ndaj sigurisë të Europës u rrit nga 1/3 në vitin 2013, deri në gati 50%.
Të martën, Komisioni Europian i dorëzoi Parlamentit Europian , Axhendën Europiane për Sigurinë 2015-2020. Zv.kryetari i parë i Komisionit Frans Timmermans u shpreh në seancën parlanentare se terrorizmi, krimi i organizuar dhe ai kibernetik përbëjnë një sfidë të ndërlikuar dhe të ndryshueshme për Europën dhe se europianët duhet të zhvillojnë bashkëpunim më të ngushtë për të garantuar sigurinë e shtetasve.
Në seancë, anëtari i Komisionit Europian që përgjigjet për emigracionin dhe çeshtjet civile, Dimitris Avramopoulos shtjelloi me detaje përmbatjen kryesore të Axhendës. Sipas tij, në luftën kundër terrorizmit, BE-ja do t'u kushtojë vëmendje jo vetëm masave goditëse, por edhe veprimeve parandaluese. Avramopoulos tha se masat politike, arsimore, ligjore dhe të punësimit që synojnë nxitjen e bashkimit shoqëror si dhe bashkëpunimi me palën e tretë kanë një domethënie të rëndësishme për zhdukjen e ekstremizmit dhe radikalizmit.
Lidhur me këtë, ai vuri në dukje disa metoda konkrete.
"Komisioni Europian do të krijojë një qendër për mbledhjen dhe publikimin e opinioneve të ekspertëve kundër radikalizmit, duke krijuar edhe rrjetin e paralajmërimit ndaj radikalizmit. Ne planifikojmë të rishikojmë projekt-vendimin mbi terrorizmin, duke ofruar një model më të unifikuar ligjor për të përballuar veprimet e shpeshta të miliantëve. Do të forcojmë bashkëpunimin me vendin e tretë. Gjithashtu, me ndërmarrjet e IT-së, do të formojmë një forum për të trajtuar propagandën e terrorizmit në internet dhe në rrjetet sociale", tha Dimitris Avramopoulos.
Sipas axhendës së re mbi sigurinë, BE-ja do të forcojë edhe aftësinë e Europolit, duke ndërtuar një qendër anti-terroriste për të asistuar forcën ligjizbatuese të vendeve anëtare në luftën kundër terroristëve të huaj, financimit të terrorizmit, propagandës për dhunën ekstremiste , trafikimin e paligjshëm të armëve etj.
Për sa i përket goditjes kundër krimit të organizuar, Axhenda e re fokusohet te ndërprerja e burimeve financiare. Sipas Avramopoulos-it, kriminelët që goditen në radhë të parë janë ata që merren me trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandën e drogës.
Kurse për krimet kibernetike, BE-ja do të përqëndrojë forcën në vlerësimin e të drejtës së autoriteteve ligjzbatuese për dëshmitë dhe informacionet e grumbulluara nga interneti.
Siç mësohet, axhenda aktuale është varianti i rishikimit për strategjinë e sigurisë të publikuar në vitin 2010. Ajo do të hyjë në fuqi pas miratimit nga Parlamenti Europian dhe vendet anëtare.