20150420xijinping |
Presidenti i Kinës Xi Jinping mbërriti në Islamabad, kryeqytetin e Pakistanit për vizitën e tij të parë zyrtare në fqinjin e Azisë Jugore, të cilin Pekini e konsideron një "mik të çeliktë."
Pakistani është ndalesa e parë e presidentit Xi. Tetë avionë JF-17 të Forcës Ajrore u dislokuan për të shoqëruar avionin presidencial kinez kur ai hyri në hapësirën ajrore të Pakistanit.
Gjatë vizitës dyditore, presidenti Xi do të takohet me homologun pakistanez Mamnoon Hussain, kryeministrin Nawaz Sharif dhe udhëheqës të tjerë, për të zhvilluar një shkëmbim të thellë të pikëpamjeve për përparimin e marrëdhënieve dypalëshe si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
Vizita e udhëheqësit kinez pritet të forcojë marrëdhëniet dypalëshe si dhe nxitë përparimin e ndërtimit të Korridorit Ekonomik Kinë - Pakistan, një rrejt i planifikuar rrugësh, hekurudhash dhe projektesh energjie, që do të lidhë portin Gwadar të Pakistanit me Rajonin Autonom të Xinjiang Uygur-it të Kinës.
Parashikohet se të dy palët do të bien dakord për një paketë marrëveshjesh në fushën e energjisë, infrastrukturës, tregtisë dhe bashkëpunimit ekonomik.
Kina është partnerja më e madhe tregtare e Pakistanit. Të dhënat zyrtare tregojnë se tregtia dypalëshe i kaloi 16 miliardë dollarët vitin e kaluar, duke shënuar një rritje vjetore prej 12.57 për qind. (Çang Çuo/Leftion Peristeri)