Fjala kyçe: 一带一路---Yí dài yí lù---Një brez, një rrugë
20150310yidaiyilu |
Para mbi 2000 vjetësh, popujt e vendeve të ndryshme filluan të zhvillojnë shkëmbime ekonomiko tregtare nëpërmjet dy rrugëve të mëndafshit, tokësore dhe detare. Këto dy rrugë u sollën vendeve që prekeshin nga rruga, jo vetëm mëndafsh, çaj, porcelan etj., nga Kina, por shërbyen për përhapjen e qytetërimeve e miqësisë midis popujve të vendeve të ndryshme.
Në shtator e tetor të vitit 2013, kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping paraqiti nisën strategjike të ndërtimit të "Brezit ekonomik të Rrugës së Re të Mëndafshit" dhe të "Rrugës Detare të Mëndafshit në shekullin e 21-të" ku theksohet se vendet e ndryshme duhet të krijojnë një bashkim interesash. Ndërtimi i "Një brezi e një rruge" ka deklaruar se fuqizimi i Kinës nuk dëmton interesat e vendeve të tjera, por përkundrazi Kina ka aftësi t'i ndihmojë vendet e tjera të zhvillohen bashkërisht.
Vendet që preken nga gjurma "Një brez, një rrugë" janë kryesisht ekonomi të reja dhe vende në zhvillim që gjenden në periudhën e zhvillimit të shpejtë ekonomik, ndaj midis Kinës e këtyre vendeve ka një perspektivë të gjerë bashkëpunimi.
Në vitin 2013, vëllimi tregtar midis Kinës e vendeve që preken nga nisma "Një brez, një rrugë" kaloi vlerën e 1 trilion dollarëve duke zënë 1/4 e vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme kineze. Si një vend i madh prodhues, Kina eksporton jo vetëm mallra të konsumit të përditshëm, por edhe shumë teknologji e pajisje për botën. Kina është edhe vendi kryesor i rezervës valutore në botë dhe ka aftësi të bashkëpunojë me vendet e ndryshme për të përballuar rreziqet financiare.
Në pesë vitet e ardhshëm, Kina do të importojë mallra me një vlerë prej 10 trilionë dollarësh, investimet e jashtme do të kalojnë 500 miliardë dollarë, numri i turistëve jashtë vendit do të arrijë në 500 milionë veta dhe si rezultat, vendet përreth e ato buzë Rrugës së Mëndafshit do të marrin së pari përfitime.
Në një anketë për dy sesionet e këtij viti të organizuar nga redaksia shqipe e CRI-së, përdoruesi i internetit Fation Tabaku shprehu shpresën për marrjen e më shumë informacioneve të bashkëpunimit midis Kinës e Shqipërisë.
Pas krijimit në vitin 2012 të sekretariatit të bashkëpunimit Kinë – Europa Qendrore e Lindore, bashkëpunimi mes Kinës e Shqipërisë ka pasur progres të dukshëm. Në vitin 2013, vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 442 milionë dollarë duke u shtuar 22.44% dhe Kina është bërë tani partnerja e tretë më e madhe tregtare e Shqipërisë.
Njëkohësisht shumë ndërmarrje të mëdha kineze që radhiten në listën e 500 ndërmarrjeve më të fuqishme botërore si Huawei, ZTE, CSCEC etj., kanë bërë investime në fushën e mineraleve, të energjisë, të telekomunikacionit, të turizmit, të infrastrukturës etj., në Shqipëri. Sipas planit, nisma "Një brez, një rrugë" do të mbulojë 4.4 miliardë popullsi dhe përmasat e GDP-së do të arrijnë në 21 trilionë dollarë.
Vendet e Europës Qendrore e Lindore janë nyjë e rëndësishme e transportit që lidh lindjen me perëndimin, ndaj Shqipëria do të luajë epërsinë e vet gjeografike duke nxitur bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella midis dy vendeve. Projekti i rrugës Arbrit me investime kineze në Shqipëri është një pikënisje e mirë në këtë fushë. (Fani)