Armëpushimi i shumëpritur në Ukrainën Lindore më në fund ka filluar të japë efekt.
Trupat qeveritare, për herë të parë në disa javë, nuk kanë regjistruar asnjë viktimë gjatë 24 orëve të fundit .
Forcat rebele filluan të tërheqin armët e tyre të rënda nga vija e frontit duke përmbushur detyrimet e marrëveshjes së Minskut, por nga ana tjetër Kievi thotë se është shumë herët për të bërë të njëjtën gjë.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, e cila është përgjegjëse për monitorimin e armëpushimit, thotë se ende nuk mund ta verifikojë tërheqjen, duke shtuar se asnjëra palë nuk ka ofruar të dhëna për gjendjen e armatimit përpara vendosjes së armëpushimit.
Kësaj situate i shtohen edhe problemet ekonomike, ku monedha ukrainase është zhvlerësuar me 13 për qind këtë javë, ndërkohë Kievi përballet me një ndërprerje të mundshme të gazit.
Presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi me ndërprerjen e furnizimit me gaz për Ukrainën në qoftë se kjo nuk do të paguajnë paraprakisht në të ardhmen.
Europa merr afro një të tretën e furnizimeve të gazit natyror nga Rusia, ku rreth 40 për qind kalon nëpërmjet Ukrainës. (Leftion Peristeri)