Eurogrupi miratoi zgjatjen edhe për 4 muaj të tjerë të marrëveshjes së ndihmës ndaj Greqisë. Ministrat e financave të Eurozonës ishin të mendimit se plani i reformës i paraqitur nga qeveria greke është gjithëpërfshirës dhe për këtë arsye, vendimi duhet të paraqitet për miratim në parlamentet e vendeve anëtare.
Në deklaratën e Eurogrupit thuhet gjithashtu se plani i ndihmës ndaj Greqisë duhet të detajohet më tej dhe duhet të miratohet para fundit të prillit nga Trojka e kreditorëve ndërkombëtarë: Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Eurogrupi u bëri thirrje autoriteteve greke të vazhdojnë të marrin masa të mëtejshme, të zgjerojnë sferën e reformave dhe të bashkëpunojnë ngushtë me Trojkën, për të bërë të mundur përfundimin sa më shpejt të vlerësimit nga këto tre institucione. (Vera)