Shtetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e armëpushimit në Ukrainë të arritur në kryeqytetin bjellorus të Minskut dhe bënë thirrje për zbatimin e menjëhershëm të saj.
Udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës njoftuan të enjten një marrëveshje paqeje dhe dhënien fund të luftimeve në Ukrainën Lindore pas bisedimeve maratonë 14-orëshe në Minsk.
"Marrëveshja paraqet një "hap potencialisht të rëndësishëm" drejt një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe rivendosjen e sovranitetit të Ukrainës në përputhje me marrëveshjen e Minskut të shtatorit të kaluar," tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest në një deklaratë.
Marrëveshja parashikon armëpushim ndërmjet forcave të Ukrainës dhe kryengritësve që kërkonin pavarësi duke filluar nga e diela, ndjekur nga tërheqja e armëve të rënda nga vija e frontit dhe zhvillimin e reformës kushtetuese që do t'i japë lindjes së Ukrainës më shumë autonomi. (Leftion Peristeri)