Kryetari i Këshillit Europian Donald Tusk u shpreh të enjten pas një samiti jozyrtar të Bashkimit Evropian në Bruksel se marrëveshja e Minskut për armëpushim në Ukrainën Lindore duhet respektuar.
"Ne i japim mbështetje të kujdesshme (marrëveshjes). Fjalët e shkruara në letër duhet të zbatohen me veprime konkrete. Armëpushimi duhet të respektohet, duhet të shohim një çshkallëzim të vërtetë të konfliktit," u shpreh Tusku në një konferencë shtypi pas takimit.
Tusku bëri të ditur se fokusi i debatit të liderëve ishte se si të përkrahej vënia në jetë e marrëveshjes, duke shtuar se BE-ja "nuk do të ngurrojë të ndërmarrë hapat e nevojshëm" nëse marrëveshja e paqes në Ukrainë nuk zbatohet.
Kreu i Këshillit Europian gjithashtu vuri në dukje se udhëheqësit e BE-së nuk kanë diskutuar për sanksione të reja ose për shtyrjen e sanksioneve. (Artani)