Luftimet në Ukrainën Lindore janë intensifikuar së fundmi, duke shkaktuar rreth 40 të vrarë, teksa është goditur me raketa edhe komanda e ushtrisë ukrainase në lindje të vendit.
Ndërkohë, në frontin diplomatik, përfaqësues të Ukrainës, Rusisë, rebelëve dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë janë takuar në Minsk për të përgatitur një samit të paqes ndërmjet udhëheqësve të Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës. Ka njoftime se në bisedime është arritur një marrëveshje armëpushimi, por ato mbeten të pakonfirmuara.
Ministri i Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier shprehet:
"Vetëm zhvillimi i samitit nuk garanton suksesin e tij, prandaj shpresoj dhe pres që Kievi dhe Moska do të jenë seriozë dhe do ta kuptojnë këtë mundësi."
Presidenti amerikan Barak Obama ka paralajmëruar se administrata e tij mund të fillojë furnizimin me armë për Ukrainën nëse diplomacia nuk arrin t'u japë fund luftimeve, por Moska ka paralajmëruar për pasojat nëse ShBA-ja e ndërmerr një veprim të tillë. (Artani)