Luftime të ashpra ndërmjet trupave qeveritare dhe forcave rebele po zhvillohen në një qendër strategjike hekurudhore në lindje të Ukrainës.
Mijëra banorë janë larguar nga qyteza Debaltseve, duke u strehuar në qendrat e posaçme të ngritura nga qeveria.
Vendi ka qenë pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje për mbi 10 ditë.
Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase Andriy Lysenko tha se ende po punohet për evakuuimin e banorëve, duke shtuar se vullnetarët po u vijnë në ndihmë 243 banorëve, mes të cilëve 27 fëmijë dhe 44 persona me aftësi të kufizuar.
Raportohet se 5 ushtarë ukrainas u vranë në betejë.
Rebelët pohojnë se rreth 15 civilë u vranë nga sulmet në fundjavë.
Luftimet u përshkallëzuan pas dështimit të bisedimeve fundjavën e kaluar.