Sekretari amerikan i shtetit John Kerry do të vizitojë Ukrainën javën që vjen, ndërkohë që luftimet midis trupave qeveritare dhe separatistëve janë ashpërsuar në rajonin lindor. Pritet që Kerry të zhvillojë bisedime në Kiev me zyrtarë të lartë dhe ligjvënës, të enjten e ardhshme. Ndërkohë njoftohet se sekretari amerikan i shtetit do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare për sigurinë që zhvillohet në Mynih, ku do të takohet me homologun rus, Sergey Lavrov.
Të premten separatistët ukrainas deklaruan se do të vazhdojnë ofensivën e tyre, ndërsa bëhet thirrje për bisedime për paqe midis palëve në konflikt. Trazirat e nisura në Ukrainë vitin e kaluar kanë shkaktuar deri tani 5 mijë të vdekur. (Eda Merepeza)