Kryeministri kinez Li Keqiang ndodhet në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror vjetor në Davos, si dhe do të vizitojë këtë vend. Ai ka deklaruar se shpreson që forumi të ndikojë në rritjen e fortë, të qëndrueshme dhe të balancuar të ekonomisë botërore. Në fjalën që do të mbajë në forum pritet që kreu i qeverisë kineze të përcjellë një mesazh të qartë lidhur me ekonominë kineze dhe "gjendjen e saj të re normale". Ky është termi që qeveria kineze po përdor për të shpjeguar rritjen e ngadaltë të ekonomisë në rrugën e reformave, duke ndjekur modelin nxitjes së konsumit.
Drejtori i menaxhimit të Forumit Ekonomik Botëror, Richard Samans thotë se fjalimi që Li Keqiang do të mbajë të mërkurën do të ndiqet me interes.
"Ajo që po ndodh në tregjet në zhvillim dhe veçanërisht në Kinë është thelbësore për të kuptuar si do të evoluojë situata ekonomike në të ardhmen e afërt. Prania e tij në Forum ka një domethënie të madhe dhe do të vlerësohet shumë nga komuniteti ndërkombëtar."
Kryeministri kinez Li Keqiang kryeson një delegacion prej 80 vetësh, ndër të cilët zyrtarë të lartë të qeverisë, përfaqësues të biznesit, akademikë si dhe drejtues të kompanive të njohura dhe me ndikim si themeluesi dhe drejtuesi i Alibaba-s, Jack Ma dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë Huawei Ren Zhengfei. (Eda Merepeza)
[foto nga www.gov.cn]