Banka Qendrore Europiane mori mbështetjen vendimtare për programin e saj të planifikuar të blerjes së obligacioneve nga një këshilltar i lartë ligjor i BE-së.
Pedro Cruz Villalon, avokati i përgjithshëm i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, thotë se plani i bankës i vitit 2012 për të blerë bono qeveritare të vendeve në krizë ishte e ligjshëm në parim.
Yves Mersch, anëtar i bordit ekzekutiv i BQE-së, e mirëpriti vendimin.
"Mendimi, para së gjithash, thekson në mënyrë të qartë se Banka Qendrore Europiane është e vetmja që ka përgjegjësinë për konceptimin, përcaktimin dhe zbatimin e politikës monetare. Ai gjithashtu thotë, se banka ka vepruar në përputhje me jurisprudencën e kaluar. "
Programi i blerjes së obligacioneve, që zakonisht shihet si paraardhësi i masës së lehtësimit sasior, nuk është vënë kurrë në përdorim, por ka ndihmuar për rikthimin e besimit në tregjet e eurozonës.
Opinioni i gjykatës është jo-detyrues, por ka shtuar mundësitë për më shumë stimul në eurozonë.
Ai vjen përpara takimit të ardhshëm për politikat e BQE-së më 22 janar, kur investitorët presin që banka të shpallë një program të lehtësimit sasior në shkallë të gjerë në përpjekje për të rritur ekonominë në vështirësi të rajonit. (Leftion Peristeri)