20141218lirama_1 |
Kryeministri kinez Li Keqiang u takua të mërkurën paradite në Beograd me homologun e tij shqiptar Edi Rama.
Gjatë takimit, Li Keqiang vlerësoi lart miqësinë tradicionale midis Kinës e Shqipërisë. Këtë vit të dy vendet shënojnë 65-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
"Kina dëshiron t'i çojë në një nivel më të lartë marrëdhëniet dypalëshe dhe njëherësh dëshiron të marrë pjesë aktivisht në ndërtimin e autostradave, hekurudhave dhe porteve shqiptare," tha kryeministri kinez, duke shtuar se me palën shqiptare do të diskutohet për zgjerimin e kanaleve të financimit dhe nxitjen e ndërmarrjeve kineze që të investojnë në Shqipëri.
Mësohet nga takimi mes dy kryeministrave se projektet e bashkëpunimit do të përfshijnë ndërtimin e një fabrike çimentoje, ndërtimin e parqeve ekonomike dhe infrastrukturës turistike si dhe bashkëpunim në fushën e minierave.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama tha se bashkëpunimi i Shqipërisë dhe vendeve të rajonit me Kinën është thelbësor për zhvillimin dhe stabilitetin rajonal.
"Pala shqiptare dëshiron të zgjerojë bashkëpunimin me Kinën në fushën ekonomike tregtare, të bujqësisë, të ndërtimit të infrastrukturës, atë arsimore etj., dhe mirëpret ndërmarrjet kineze të investojnë në Shqipëri për të realizuar zhvillimin e përbashkët," tha Rama. (Fani/Leftion Peristeri)