Në ditën e parë të Samitit të vendeve të Europës Juglindore ku po diskutohet për bashkëpunimin ekonomik me Kinën, zyrtarët kinezë kanë premtuar 10 miliardë dollarë investime, kryesisht në energji, hekurudhë, transport dhe fusha të tjera strategjike. Sipas medias shqiptare, kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi se shpreson që kontaktet me Kinën të kthehen në një fuqi për bashkëpunim rajonal dhe zhvillimin ekonomik. Ai shtoi se rajoni është i lodhur nga reformat e gjata dhe u bëri thirrje homologëve të shpejtojnë në këtë bashkëpunim.
Kryeministri kinez Li Keqiang tha se është i gatshëm të investojë dhe të marrë përsipër krijimin e korridoreve të reja për bashkëpunim. Sipas ministrit shqiptar të ekonomisë Arben Ahmetaj, përveç "Rrugës së Arbrit", Shqipëria ka interes edhe për projekte të tjera infrastrukturore .
Në vijim të axhendës së të mërkurës kreu i qeverisë shqiptare Rama do të takohet me kryeministrin kinez Li dhe me atë serb Vuçiç. (Eda Merepeza)