Kryeministri i Kinës Li Keqiang u takua të hënën me homologun e tij rus Dmitry Medvedev në Astana, ku do të zhvillohet takimi i kryeministrave të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH).
Li Keqiang tha se Kina dhe Rusia kanë tendencë të mirë në partneritetin e gjithanshëm strategjik dhe në bashkëpunimin në fusha të ndryshme.Të dy qeveritë po konkretizojnë aktivisht konsensusin e arritur gjatë takimit të 19-të të rregullt midis kryeministrave kino-rus, që u zhvillua në Moskë dy muaj më parë.
Shefi i qeverisë kineze nënvizoi se Kina është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin në fushën energjetike me Rusinë dhe të zbatojë memorandumin e bashkëpunimit të hekurudhës së shpejtësisë së lartë, të nënshkruar nga dy vendet. Kina, së bashku me Rusinë dhe me palët e tjera, do të nxisin Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait të vijojë progresin në fushën e sigurisë e të zhvillimit rajonal. Pala kineze do të përkrahë dhe të bashkëpunojë me palën ruse në kryerjen e mandatit të vendit kryetar të radhës të OBSH-së.
Medvedevi tha se vizita pak kohë më parë e kryeministrit Li në Rusi ka nxitur fort marrëdhëniet ruso-kineze dhe objektet kryesore të bashkëpunimit midis dy vendeve po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme. Rusia është e gatshme të nxisë më tej bashkëpunimin ruso-kinez në fushën e naftës dhe gazit, në energji bërthamore e hidro, në fushën financiare, risive teknologjike, në fluturimet hapësinore si dhe në zhvillimin e rajonit të Lindjes së Largët të Rusisë. Pala ruse do të shtojë bashkëpunimin me palën kineze edhe në kornizën e OBSH-së, që të mbrojë paqen, stabilitetin e zhvillimin e rajonit. (Wang Lei)