Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini nënshkroi të hënën një marrëveshje me ministrin e Jashtëm të Ukrainës Pavlo Klimkin, në të cilën sanksionohet formimi i një misioni të posaçëm këshillues të BE-së për reformën e sigurisë civile..
Sipas komunikatës së BE-së, selia e misionit këshillues do të vendoset në Kiev. Ai do të angazhohet në çështjet civile dhe jo ato ushtarake, ndërkohë rekomandimet e tij janë jo detyruese për palën ukrainase. Mandati i parë i misionit do të jetë 2 vjeçar.
Qysh nga 1 dhjetori, delegacioni do të fillojë punën zyrtare në ndihmë të autoriteteve të Ukrainës për ndërmarrjen e reformave në fushën e sigurisë civile, si siguria publike dhe administrimi ligjor. Ky mision i BE-së do të bashkërendojë punën me organizatat e tjera ndërkombëtare dhe organizatat e sigurisë së BE-së. Në 12 muajt e parë, misioni këshillues do të ketë një buxhet prej 13.1 milionë eurosh. (Xu Guang/Leftion Peristeri)