Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse u shpreh të hënën se Rusia ka dëbuar një diplomat gjerman dhe disa diplomatë polakë, si përgjigje ndaj dëbimit të diplomatëve rusë nga Gjermania e Polonia.
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë theksoi se nuk e lidh incidentin e dëbimit të diplomatëve rusë nga Gjermania me vizitën e ardhshme të ministrit të Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier në Moskë.
Ndërkohë, Varshava është shprehur se diplomatët rusë të dëbuar nga Polonia dyshohet se janë marrë me veprimtari që nuk përputhen me statusin e tyre. Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë e quajti veprimin e autoriteteve polake "jomiqësor" e "të paarsyeshëm" dhe tha se pala ruse ka marrë masat e duhura të kundërpërgjigjes.
Dëbimet e diplomatëve e kanë përkeqësuar më tej krizën mes Perëndimit dhe Rusisë, teksa BE-ja po shqyrton vendosjen e sanksioneve ndaj më shumë separatistëve në Ukrainën Lindore. Megjithatë, vendet europiane nuk kanë konsensus lidhur me sanksione të reja ndaj Rusisë, për shkak të frikës se një gjë e tillë do të dëmtonte ekonominë e tyre. (Fani/Artani)