Marrëdhëniet midis Kinës dhe Australisë kanë një të ardhme të shkëlqyer, deklaroi presidenti i Kinës Xi Jinping gjatë takimit me guvernatorin e përgjithshëm të Australisë, Peter Cosgrove. Xi theksoi se të dyja palët kanë vendosur të ngrenë nivelin e bashkëpunimit në partneritet strategjik, si dhe kanë përmbyllur bisedimet dypalëshe për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (MTL).
Ky përparim, deklaroi presidenti Xi ka hapur një kapitull të ri në bashkëpunimin miqësor midis dy vendeve.
Duke u ndalur në rëndësinë e madhe që Cosgrove i ka kushtuar marrëdhënieve dypalëshe, kreu i shtetit i Kinës vlerësoi kontributin e guvernatorit të përgjithshëm në forcimin e bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Xi tha se Kina i kushton një vëmendje të madhe marrëdhënieve ushtarake dypalëshe, si dhe është e gatshme për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, përmes vizitave të nivelit të lartë, stërvitjeve të përbashkëta dhe konsultimeve për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në rajon.
Guvernatori Cosgrove, nga ana e tij vlerësoi bashkëpunimin e forcave të armatosura australiane dhe kineze, shkëmbimet e përvojës, stërvitjet e përbashkëta si dhe përgatitjen në nivel të lartë të trupave kineze.
Ai shprehu besimin e plotë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. (Eda Merepeza)