Fjala kyçe: 成果---Chéng guǒ---Arritje
20141112chengguo |
Të martën, përfundoi në Pekin takimi jozyrtar i 22-të i liderëve të APEK-ut. Pas takimit, kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping u shpreh para mediave se liderët e vendeve të APEK-ut kanë shprehur mendime unanime mbi tema kryesore, si integrimi i ekonomisë rajonale, nxitja e zhvillimit ekonomik në mënyrë rinovuese, reforma, shtimi i gjithanshëm i ndërtimit infrastrukturor dhe forcimi i lidhjeve mes palëve, duke shënuar arritje dhe duke realizuar objektivat e takimit.
Xi Jinping tha se në takimin jozyrtar të rradhës së APEK-ut, u publikuan Programi i Pekinit dhe "Ndërtimi i Përbashkët i Partneritetit të Azi-Paqësorit, në kuadër të Deklaratës së 25-vjetorit të Formimit të APEK-ut", në të cilët është sqaruar më tej drejtimi i zhvillimit të APEK-ut. Kjo është hera e parë që publikohet një deklaratë me rastin e përvjetorit të APEK-ut.
"Ndërtimi i Përbashkët i Partneritetit të Azi-Paqësorit---Deklarata e 25-vjetorit të Formimit të APEK-ut është deklarata e parë në historinë e APEK-ut. Jemi të bindur që kjo deklaratë do të ofrojë një strategji të fortë për bashkëpunimin e APEK-ut, do të konsolidojë statusin e APEK-ut në arenën ndërkombëtare, si dhe do të luajë rol drejtues dhe koordinues për bashkëpunimin ekonomik të Azi-Paqësorit," tha Xi Jinping.
Në vitin 2006, vendet anëtare të APEK-ut shprehën dëshirën për një zonë të tregtisë së lirë në Rajonin e Azi-Paqësorit. Pas vitit 2010, megjithëse kjo temë trajtohej çdo vit, për shkaqe të ndryshme, nuk shënoi përparim real. Ndërsa, këtë herë, APEK-u ka shënuar një hap të rëndësishëm për nxitjen e ndërtimit të zonës së tregtisë së lirë në Rajonin e Azi-Paqësorit. Xi Jinping deklaroi para mediave që në takimin jozyrtar të APEK-ut është vendosur që të nisë procesi i zonës së tregtisë së lirë i Rajonit të Azi-Paqësorit, duke u miratuar harta e rrugës për ndërtimin e kësaj zone.
"Ky është një hap historik drejt zonës së tregtisë së lirë të Rajonit të Azi-Paqësorit. Kjo simbolizon nisjen zyrtare të procesit për ndërtimin e zonës së tregtisë së lirë, duke treguar besimin dhe vendosmërinë e vendeve anëtare të APEK-ut për nxitjen e integrimit ekonomik të rajonit. Ky gjithashtu është një vendim historik për integrimin ekonomik të Rajonit të Azi-Paqësorit në një nivel më të lartë," deklaroi Xi Jinping.
Krahas zonës së tregtisë së lirë, investimet infrastrukturore dhe lidhjet e ndërsjellta të Rajonit të Azi-Paqësorit janë pjesë e rëndësishme përbërëse e partneritetit të Azi-Paqësorit, si edhe një temë kryesore që ka tërhequr vëmendje të palëve të ndryshme të APEK-ut. Xi Jinping bëri të ditur që ekonomitë e APEK-ut u shprehën njëzëri që shtimi i gjithanshëm i ndërtimit infrastrukturor dhe lidhjet e ndërsjellta janë në të mirë të rritjes ekonomike të Rajonit të Azi-Paqësorit dhe përputhen me interesat e përbashkëta dhe kërkesat e vendeve anëtare për zhvillimin afatgjatë.
Për shtimin e lidhjeve, në këtë takim u miratua edhe Harta e Komunikimit, duke u përcaktuar që të shtohen kontaktet njerëzore dhe shkëmbimet në fusha të ndryshme para vitit 2025. Palët e ndryshme premtojnë që brenda kornizës së hartës, të shtojnë investimet, për të formuar një rrjet të gjithanshëm kompleks komunikimi brenda Rajonit të Azi-Paqësorit. Kështu, njerëzit që jetojnë në Rajonin e Azi-Paqësorit do të favorizohen nga ky rrjet komunikimi.
Xi Jinping shtoi gjithashtu që palët e ndryshme në takim vendosën të zbatojnë propozimet për bashkëpunimin global në zixhirin e vlerës dhe zixhirin e furnizimit, duke rënë dakord për luftën kundër korrupsionit. Krahas kësaj, palët e ndryshme vendosën që të shtojnë bashkëpunimin edhe në fusha të tjera, si përballimi i epidemive, lufta kundër terrorizmit dhe përballimi i ndryshimit të klimës. (Jiang Lei)