Një avion me materiale ndihme nga Kina për të ndërtuar një qendër të trajtimit të ebolës arriti të dielën në kryeqytetin e Liberisë Monrovia.
Më parë, të shtunën, mbërriti në Liberi ekipi i zbatimit të projektit për ndërtimin e kësaj qendre. Të mërkurën edhe dy avionë të tjerë të posaçëm kinezë do të shkojnë në Liberi, duke e çuar gjithsej në 253 tonë sasinë e materialeve të ndërtimit, pajisjeve dhe ilaçeve të dërguara në këtë shtet të Afrikës Perëndimore.
Zv.ministri i Jashtëm i Liberisë Sylvester Grigsby u shpreh në aeroport se, në kushtet kur epidemia e ebolës në Liberi dhe vende të tjera të Afrikës Perëndimore po vazhdon të përhapet, dërgimi i ndihmave të tjera nga Kina është një mbështetje e madhe për këto vende në luftën kundër epidemisë, prandaj qeveria dhe populli liberian nuk do ta harrojnë kurrë një gjë të tillë.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, qysh nga shpërthimi i epidemisë së ebolës në mars, numri i të prekurve nga kjo sëmundje ka arritur mbi 10 mijë, 4922 ndër të cilët kanë vdekur. (Fang Xiaoyu/Artani)