Kryeministri Li Keqiang gjatë një takimi në Hamburg me përfaqësues të biznesit europian dhe liderë politikë ka deklaruar se "Kina përbën një forcë nxitëse për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore, pavarësisht një rënie momentale të ritmit të rritjes". Kreu i qeverisë nënvizoi se "nuk do të ketë ulje të fortë të ekonomisë kineze" dhe shtoi se " Kina është e aftë të ruajë rritjen ekonomike me një shpejtësi më të madhe, në të ardhmen".
Li Keqiang theksoi se kjo performancë mbështetet në reforma dhe rijësi, duke e konsideruar reformën si nxitëse të zhvillimit ekonomik të vendit. Ndër të tjera kryeministri tha se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me BE-në, përfshirë Gjermaninë, duke dhënë një shembull të bashkëpunimit global.
"Bashkëpunimi ekonomik qëndron në themel të bashkëpunimit mes Kinës dhe Europës", theksoi në takim kryeministri Li Keqiang.
Sipas tij Kina dhe vendet e BE-së ndodhen në një fazë kritike të zhvillimit. Ai bëri thirrje për bashkëpunim në fushën e tregtisë dhe të investimeve,si dhe bashkëpunime të reja për përballjen e sfidave globale.
I pranishëm në takim, ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier theksoi se bashkëpunimi midis BE-së dhe Kinës i shërben interesit të Gjermanisë, Kinës dhe mbarë botës. (Eda Merepeza)