Trupat e koalicionit antiterrorist të udhëhequra nga SHBA-ja kanë goditur një pozicion luftarak të Shtetit Islamik (IS), në një pikë kyçe të furnizimit me gaz në provincën lindore siriane Deir al-Zour, mbrëmjen e së dielës. Lajmi konfirmohet nga vëzhguesi sirian opozitar për të drejtat e njeriut, i cili shton se nga sulmet amerikane u godit fabrika Konico, më e madhja e prodhimit të gazit në Siri, e vënë kohët e fundit në kontroll të grupeve terroriste. Sipas njoftimit kjo fabikë furnizon me energji elektrike provincën qendrore të Homsit, duke e shpërndarë më pas atë anembanë vendit të shkatërruar nga lufta.
Një grup vëzhguesish nga Britania e Madhe, drejtues të një network-u aktivistësh në terren, thekson se Shteti Islamik (IS) e kishte kthyer një pjesë të fabrikës në qendër paraburgimi, duke shtuar se shumë prej militantëve ekstremistë janë plagosur nga sulmet.
IS, i njohur si Shtetit Islamik i Irakut dhe Levantit, kontrollon pjesën më të madhe të depozitave të naftës dhe gazit në lindje të Sirisë. Kohët e fundit SHBA-ja ka goditur një sërë pozicionesh të IS në qytetet siriane, si pjesë e rinisjes së luftës kundër terrorizmit. (Eda Merepeza)