Shtetet e Bashkuara e nënvlerësuan rritjen e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, ndërsa mbivlerësuan aftësinë e ushtrisë irakiane në luftën kundër tyre. Këtë e deklaroi presidenti Barack Obama gjatë një interviste televizive në emisionin "60 minuta", të transmetuar të dielën në mbrëmje në CBS. Kreu i Shtëpisë së Bardhë mbështeti qëndrimin e Drejtorit të Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës, James Clapper, të bërë disa ditë më parë.
"James Clapper ka pranuar mendimin tim se ata e nënvlerësuan situatën në Siri,", tha presidenti Obama, në deklaratën e tij të hapur lidhur me rritjen e shpejtë të Shtetit Islamik, të njohur gjithashtu si ISIL, i cili në qershor shpalli Kalifatin në zona të gjera të Sirisë dhe Irakut.
Avionët luftarakë amerikanë kanë goditur një sërë objektivash në Irak dhe Siri, përkatësisht më 8 gusht dhe 22 shtator, të ndihmuar nga Franca dhe vendet arabe.
Ndër të tjera në intervistën për CBS, Obama theksoi se lufta civile në Siri ndikoi në rritjen e grupeve ekstremiste. Në mbështetje të qëndrimit të tij ushtarak, presidenti Obama shtoi se "Duhet ti zbrapsim ata, të ngushtojmë hapësirën e tyre, komandën, kontrollin dhe fuqinë, duke iu kundërvënë financimit dhe furnizimit të tyre me armë dhe karburant, si dhe duke eliminuar shtimin e luftëtarëve të huaj në rradhët e terroristëve." (Eda Merepeza)