Presidenti i Francës Francois Hollande shpalli të enjten 3 ditë zi kombëtare, pas vrasjes me prerje koke të turistit francez Herve Gourdel, i rrëmbyer nga ekstremistët në lindje të Algjerisë. "Në çdo ndërtesë publike të Francës nga e premtja deri të dielën flamujt do të jenë gjysmështizë," ka deklaruar presidenti Hollande në mbledhjen e përjavëshme të kabinetit.
55 vjeçari Gourdel, me profesion guidë turistike, u rrëmbye në Tizi Ouzou, në lindje të Algjerisë nga ushtarë të Kalifatit, një grup mbështetës i Shtetit Islamik (IS). Militantët ekstremistë në Irak dhe Siri i janë përgjigjur thirrjes së IS për të sulmuar shtetasit perëndimorë, vendet e të cilëve i janë bashkuar koalicionit kundër terroristëve xhihadistë. Të premten e kaluar Franca ndërmori sulmin e parë ajror kundër objektivave të Shtetit Islamik (IS), duke i shkatërruar ato. (Eda Merepeza)