PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Intervistë me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z.Arben Ahmetaj
2014-09-11 18:56:08 CRI Komenti juaj Printoni

Ministri shqiptar i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z.Arben Ahmetaj ndodhet në Kinë së bashku me delegacionin e lartë shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama në kuadër të Forumit Ekonomik Veror të Davosit 2014. Në intervistën për CRI SHQIP, z. Ahmetaj foli mbi takimet me personalitete të qeverisë kineze dhe të kompanive të fuqishme, si dhe me arritjet në këto bisedime. Ai na njohu për interesin që kanë kompanitë kineze për të investuar në Shqipëri në sektorin energjetik, të hekurudhave etj, si dhe fton të gjitha kompanitë kineze që kanë interes të investojnë në Shqipëri, duke i mirëpritur ato dhe ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme për procedurën e regjistrimit të biznesit të tyre në Shqipëri. Le të njihemi më hollësisht me intervistën që gazetari i CRI SHQIP ka zhvilluar në Tianjin me z. Ahmetaj.

CRI SHQIP: Në vizitën e kësaj here në Kinë ju keni ardhur me delegacionin e lartë shqiptar, kryesuar nga kryeministri Edi Rama. Jeni takuar me disa përfaqësues të ndërmarrjeve kineze dje në Pekin dhe sot keni patur një takim me kryeministrin kinez, z.Li Keqiang. A mund të na jepni disa detaje në lidhje me këtë takim?

Z.Ahmetaj: Pikësëpari dua të them që vizita jonë është në kuadrin e Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, që është sesioni i verës, dhe në aspektin shtetëror vizita ka rëndësi të veçantë për takimet dypalëshe, sidomos për takimin midis dy kryeministrave të Shqipërisë dhe të Kinës, ku u fol gjatë madje për të gjitha fushat e bashkëpunimit ekonomik dhe projektet konkrete, të cilat janë në proces e sipër sot midis ndërmarrjeve kineze, qoftë shtetërore apo private në Shqipëri.

Përsa i përket interesit që kompanitë kineze kanë në fushën energjetike, transportit, të parqeve industriale apo në fushën e logjistikës në tërësi, interesi është shumë i madh dhe kjo është shumë kënaqësi për ne. Sigurisht që ende nuk është materializuar asgjë konkrete përveç hyrjes së një kompanie në fushën e minierave me blerjen e 51% të aksioneve të një kompanie ekzistuese në fushën e bakrit, ndërkohë të gjitha diskutimet e tjera janë ende në proces dhe sigurisht që nuk ka ende negociata të përfunduara.

Takimi i djeshëm me "Power China" ishte një takim i rëndësishëm, ku "Power China" shprehu drejtpërsëdrejti interesin që ka për të hyrë në Shqipëri, për të bërë biznes dhe për të bërë projekte të rëndësishme, qoftë në lëmin e koncesioneve, qoftë në privatizime apo në zhvillime drejtpërdrejt të reja.

"Power China" është një kompani shumë e madhe dhe shumë e rëndësishme, dhe për ne është me rëndësi të veçantë nëse "Power China" vjen të investojë në Shqipëri.

Dje është firmosur një protokoll i minutave të takimit, ku u theksua interesi për të parë projektet e mundshme. Besoj që kjo firmosja e djeshme midis drejtorit të Kompanisë të "Power China" dhe ministrit të Energjetikës të Shqipërisë i hap rrugën mundësive për interesa të përbashkëta në fushën e energjisë apo fusha të tjera qoftë te kompanisë, qoftë të shtetit shqiptar.

Nesër do të vazhdojmë me disa kompani të tjera tepër të rëndësishme, të cilat kanë shprehur interes të drejtpërdrejt në disa sektorë, duke përfshirë ndërtimin e rrugëve, koncesionin e Rrugës së Arbrit apo në disa kompani energjetike, të cilat janë në fushën e energjisë, në projekte të ndryshme, po sigurisht akoma pa materializuar asgjë.

CRI SHQIP: Sot në mëngjes u informuam se gjatë takimit me kryeministrin Li Keqiang delegacioni shqiptar ka marrë një donacion nga qeveria kineze. Sa e vërtetë është kjo?

Z.Ahmetaj: Po, në bisedën që pati kryeministri shqiptar me kryeministrin kinez, qeveria kineze i ofroi nje donacion qeverisë shqiptare prej 10 milionë RMB, rreth 1.7 milion dollarë, të cilat kryeministri ynë u shpreh drejtpërsëdrejti që do të përdoren në sektorin e arsimit. Kishte një reagim të menjëhershëm dhe në fakt na u bë qejfi me atë donacion që mund të përdoret shumë efektshëm nga Ministria e Arsimit për zhvillimin e arsimt apo teknologjisë dhe informacionit në arsim.

CRI SHQIP: Sot jeni takuar me një përfaqësuse të një kompanie kineze. Cilat janë detajet e bisedimeve me këtë kompani, e cila po përpiqet të zgjerojë biznesin në ndërtimin e hidrocentraleve?

Z.Ahmetaj: Është e vërtetë, është një kompani e madhe kineze, e cila dhe ajo është e interesuar që të futet në Shqipëri në fushën e energjisë. Ata kanë kohë që interesohen për tregun. Ne i kemi ftuar që të dërgojnë teknikët e tyre për të parë si funksionon tregu, çfarë mundësish ka, si funksionon legjislacioni shqiptar për ndërtimin e hidrocentralëve dhe besoj që për të hapur rrugën e vizitës së tyre, nesër kemi një takim konkret. Besoj se do të konkludojmë për një vizitë të teknikëve të tyre për të hyrë në detaje në sektorin energjetik, po edhe në projektin konkret.

CRI SHQIP: Kemi dëgjuar nga disa ndërmarrje kineze se për t'u futur në tregun shqiptar, i cili është një vend europian ka pak vështirësi, sidomos në procedurën e regjistrimit. Ç'mund të na thoni për këtë?

Z.Ahmetaj: Regjistrimi i tyre është shumë i thjeshtë në regjistrin e biznesit në Shqipëri. Ndoshta kompanitë kineze nuk janë ende të familjarizuara me procedurat ligjore të Shqipërisë dhe do t'u duhet pak kohë.

CRI SHQIP: A mund të na thoni z.Ahmetaj për biznesmenët kinezë të cilët duan të investojnë në Shqipëri, a duhet të shqetesohen ata nga procedura e ndërlikuar?

Z.Ahmetaj: Përkundrazi, unë i premtoj të gjithë sipërmarrjes kineze, qoftë publike, qoftë private, që është e interesuar të vijë në Shqipëri, i mirëpres dhe i takoj pothuajse të gjithë investitorët dhe u tregoj nëpërmjet punonjësve të ministrisë time, por edhe nëpërmjet agjencive të ndryshme shtetërore, mundohem t'ju shpjegoj procedurat dhe t'i ndihmoj nëpër procedura.

Sigurisht që projektet e mëdha që kanë ndërmend kompanitë kineze për standardin shqiptar, sigurisht që ato kanë kohën e tyre, pasi duhet të materializohet projekti teknik, projekti financiar, rruga ligjore, ashtu si në çdo vend tjetër.

CRI SHQIP: Si ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, cilën fushë do donit të promovonit para investitorëve ndërkombëtarë, veçanërisht atyre kinezë për ndërtimin e infrastrukturës, tregtinë, apo energjinë?

Z.Ahmetaj: Nuk do të përjashtoja asnjë nga sektorët. Do të thoja që energjia është shumë e rëndësishme, shfrytëzimi i potencialit shqiptar është akoma larg optimales së vet, keshtu që ka shumë hapësirë për investime, infrastuktura me koncesion është shumë interesante nëse formulat janë (win-win) pra, përfituese për të dyja palët.

Turizmi është shumë interesant. Nuk kemi parë ende kompani kineze që të jenë të interesuara për turizmin shqiptar. Bregdeti shqiptar është perlë dhe në qendër të Europës, sidomos parqet industriale janë shumë interesante.

Aktualisht ka një proces në diskutim për një park industrial me një kompani kineze. Unë shpresoj që kompania kineze do të bëjë një ofertë të menjëhershme teknike financiare dhe të vazhdojë punën. Shpresojmë të shohim sa më shumë kompani kineze në Shqipëri.

CRI SHQIP: Këtë herë keni udhëtuar nga Pekini në Tianjin së bashku me kryeministrin me trenin e shpejtësisë së lartë, që është bazuar në fjalën e fundit të tekonologjisë kineze. Si ju duk udhëtimi me këtë tren?

Z.Ahmetaj:  Ishte një udhëtim shumë i rehatshëm dhe shumë i këndshëm. Shpresoj që kompanitë kineze të vijnë të investojnë në rrjetin tonë hekurudhor me koncesion, të ndërtojnë edhe linja si ajo që ne udhëtuam dje. Madje sot, kryeministri shqiptar i kërkoi kryeministrit tuaj që ta shohi këtë mundësi nëpërmjet kompanive shtetërore apo private.

CRI SHQIP: Sipas informacioneve të mia Shqipëria dhe Kina në kohën e miqësisë së ngushtë në të kaluarën kanë ndërtuar disa linja hekurudhore në Shqipëri. Si janë këto linja sot?

Z.Ahmetaj: Kur u ndërtuan ishin shumë të mira. Tani janë të amortizuara sepse Shqipëria është një vend akoma i varfër dhe nuk ka mundur t'i mirëmbajë. Aq më tepër që teknologjia ka ecur jashtëzakonisht shumë dhe teknologjia e hekurudhave tona duket si dinosaur, përpara asaj që ka ecur bota apo Kina në rastin konkret.

CRI SHQIP: A keni zhvilluar bisedime konkrete të detajuara me kryeministrin kinez Li Keqiang për projektin hekurudhor në Shqipëri?

Z.Ahmetaj: Po, që në nëntorin e vitit të kaluar ne kemi paraqitur një projektide dhe shpresojmë që ajo të merret nga ndonjë kompani e zhvilluar kineze për ta zhvilluar më tej atë rrjet hekurudhor, për ta bashkuar me rajonin dhe me Bashkimin Europian.

CRI SHQIP: Dhe në përfundim të kësaj interviste—Cila pjesë e Kinës ju ka tërhequr më shumë, pasi keni qenë disa herë këtu.

Z.Ahmetaj: Më pëlqen e gjithë Kina, sidomos ushqimi kinez. Në fakt nuk është se kam parë shumë nga Kina, kam parë Pekinin, Shangain, Ningbo-n, Hong-Kongun, Tianjin-in. Te gjitha më pëlqejnë!

CRI SHQIP: Sivjet sëhtë 45-vjetori i transmetimit të programeve në shqip nga Radio e Jashtme e Kinës. Atëherë me këtë rast a mund të na thoni dicka?

Z.Ahmetaj: Unë i uroj Radio së Jashtme të Kinës në gjuhën shqip edhe qindra vite të tjera, e bazuar në një marrëdhënie miqësie, ekonomike, kulturore e shpirtërore midis dy popujve fantastikë.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China