Ministria e Energjetikës e Shqipërisë dhe kompania shtetërore kineze Power China kanë nënshkruar një "Memorandum Bashkëpunimi", të martën në Pekin.
Delegacioni i qeverisë shqiptare kryesohet nga kryeministri Edi Rama, i cili sot (e mërkurë) takoi homologun kinez Li Keqiang.
Memorandumi u nënshkrua midis ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri dhe zotit Zhang Jianyue, drejtor ekzekutiv i kompanisë Powr China Chengdu Engineering Corporation Limited.
President i Grupit të Ndërtimit dhe Bashkëpunit i Power China, Ma Zonglin, ishte gjithashtu në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit.
Një burim brenda takimit i tha CRI Shqip se për këtë marrëveshje është punuar për rreth gjashtë muaj.
Power China zotëron 50 për qind të tregut botëror të hidroenergjisë, e listuar me AAA.
Ky ishte një takim i rëndësishëm i delegacionit të qeverisë shqiptare dhe drejtuesve ekzekutivë të kompanive të mëdha shtetërore kineze, mes tyre përveç Power China edhe Sino Sure dhe China Development Bank.
Të martën në mbrëmje Power China e mirëpriti delegacionin qeveritar shqiptar të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, të udhëtonte me trenin e shpejtësisë së lartë të linjës Pekin - Tianjin. Kjo hekurudhë është ndërtuar nga Power China. (Leftion Peristeri)