Kryeministri kinez Li Keqiang thotë se ekonomia e vendit është duke vepruar brenda një niveli të arsyeshëm.
Deklaratat e tij erdhën në prag të Forumit Veror Ekonomik të Davosit që fillon sot në Tianjin.
Kryeministri thotë se ekonomia është në rrugë të drejtë me një rritje prej 7.4 për qind, punësim më të mirë dhe një normë inflacioni prej 2.3 për qind deri në gjysmën e parë të vitit.
Në të njëjtën kohë, kryeministri foli rreth hetimeve kundër monopolit që po zhvillohen së fundi në Kinë.
"Hetimet e fundit të Kinës nuk kanë ndonjë shënjestër të përcaktuar midis industrive. Me aq sa di, kompanitë e huaja përbëjnë vetëm 10 për qind të të gjitha atyre të përfshira në hetime."
Duke folur përpara një grupi biznesmenësh, Li Keqiang tha se qeveria qendrore është përpjekur për të krijuar një klimë të lehtë, të ndershme dhe konkurruese biznesi duke hequr pengesat, por duke rritur kontrollin.
Kina ka ndërmarrë një sërë hetimesh kundër sjelljeve monopoliste në treg të cilat kanë përfshirë edhe disa kompani të huaja, si Microsoft dhe Jaguar Land Rover. (Leftion Peristeri)