Kryeministrat e Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjë Hercegovinës dhe Malit të Zi, dhanë mbështetjen e tyre për ndërtimin e autostradës Adriatik – Jon.
Pas takimit të tyre në qytetin jugor kroat Cavtat, kryeministri mikpritës Zoran Milanoviç tha në konferencën e përbashkët të shtypit se autostrada Adriatik – Jon, që pritet të lidhë Europën Perëndimore me Greqinë nëpërmjet katër vendeve, është në interesin e të gjitha vendeve dhe gjithashtu për Kroacinë, njoftoi Agjencia Kroate e Lajmeve.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha se ndërtimi i autostradës do të thotë një e ardhme më e mirë për të gjithë Rajonin e Europës Juglindore.
Të katër kryeministrat patën një takim pune për të identifikuar përparësitë përpara konferencës për Ballkanin Perëndimor që është thirrur të enjten nga kancelarja gjermane Angela Merkel në Berlin. (Leftion Peristeri)