Ylli botëror i filmave aksion, Jackie Chan nëpërmjet mikroblogut të tij ka kërkuar falje për të birin, i cili është ndaluar nga policia për përdorim droge. Chan tha se "ndjehet i turpëruar dhe i trishtuar" për veprimin e të birit Jaycee. I biri, 31 vjeçar Jaycee Chan dhe kolegu i tij, aktori 23 vjeçar nga Tajvani Kai Ko u ndaluan nga policia e Pekinit të enjten e kaluar, pasi rezultuan pozitiv në testin e drogës dhe në banesën e Jaycee u gjetën 100 gram marihuanë.
Jackie Chan shkruan në statusin e tij se i biri duhet të përballet me pasojat e përdorimit të drogës, si dhe ka shprehur mbështetje për të birin. Ai ka shtuar se, si i ati i Jaycee ndjehet dhe ai fajtor.
Jaycee Chan përballet me akuzën për nxitje të përdorimit të drogës, me të cilën dënohesh me burg deri në 3 vjet, në Kinë. (Fang Xiaoyu)