Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u ka kërkuar vendeve anëtarëve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) të jenë të gatshme për zgjerimin e kësaj organizate dhe për hapjen e dyerve për anëtarë të rinj.
Wang e ka bërë këtë thirrje teksa ministrat e jashtëm të organizatës do të takohen në Taxhikistan për t'u përgatitur për takimin e ardhshëm të OBSh-së që do të zhvillohet këtë vit.
OBSh-ja ka tani anëtarë Kinën, Kazakistanin, Kirgizistanin, Rusinë, Taxhikistanin dhe Uzbekistanin. Afganistani, India, Irani, Mongolia dhe Pakistani janë vëzhgues, kurse Bjellorusia, Turqia dhe Sri-Lanka partnerë dialogu.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Kinës thotë se ka përfunduar punën përgatitore për stërvitjen e ardhshme të përbashkët antiterroriste të vendeve anëtare të OBSh-së.
Stërvitja do të zhvillohet nga 24 deri më 29 gusht në rajonin e Mongolisë së Brendshme të Kinës. (Artani)