Kinë, Brazili dhe Peruja publikuan të enjten një deklaratë të përbashkët, ku zotohen për bashkërendim përpjekjesh për të ndërtuar një hekurudhë që do të kalojë nëpër të gjithë Amerikën e Jugut.
Dokumenti pasoi një takim në Brazilia mes presidentit kinez Xi Jinping dhe homologëve të tij nga Brazili dhe Peruja, Dilma Rousseff dhe Ollanta Humala.
Në deklaratë thuhet se të tre udhëheqësit shkëmbyen mendime mbi intensifikimin e ndërtimit të infrastrukturës së transportit në Amerikën e Jugut dhe promovimin e lidhjeve në mes të Amerikës së Jugut dhe tregjeve aziatike.
Në bisedimet e tij të veçanta me Rousseff-in dhe Humala-n, Xi theksoi gatishmërinë e Pekinit për të zgjeruar bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë në ndërtimin e infrastrukturës me vendet e Amerikës Latine, dhe bëri thirrje për përpjekje të përbashkëta për ndërtimin me sukses të hekurudhës transkontinentale në Amerikën e Jugut.
Presidenti kinez Xi Jinping ndodhet për një vizitë zyrtare në Brazil, ndalesa e parë e turneut të tij në Amerikën Latine. Xi Jinping do të vizitojë gjithashtu Argjentinën, Venezuelën dhe Kubën. (Artani)