Vitin e kaluar investimet e huaja direkte në 5 vendet e Ballkanit perëndimor ishin sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara 3.7 miliardë dollarë.
Rreth një e treta e tyre, ose 1 miliard e 225 milionë dollarë u investuan në ekonominë shqiptare. Sipas OKB, për dy vjet me radhë Shqipëria ka patur nivelin më të lartë të investimeve nga jashtë në rajon.
Por më shumë se rritjen e tyre këtu, kjo është rezultat i rënies së fortë të kapitaleve të huaja në rajon që nga fillimi i krizës. Të dhënat tregojnë se krahasuar me vitin 2008, investimet e huaja në Ballkanin perëndimor janë ulur me gati 47 për qind.
Sipas OKB, tendenca ka prekur të gjitha vendet, përveç Shqipërisë, ku investimet nga jashtë jo vetëm që kanë ruajtur ritmet e parakrizës, por vitin e kaluar madje arritën nivelin më të lartë historik.
Edhe pse sipas OKB, një pjesë e tyre ishte rezultat i privatizimit të katër hidrocentraleve nga "Kurum" dhe rishitjes së kompanisë "ARMO" tek Azerbajxhanasit e Heni Aset. Në raportin e sapopublikuar për investimet e huaja direkte në 2014-n, OKB vëren se për Shqipërinë perspektiva është pozitive.
Sipas raportit, gazsjellësi Transadriatik do të gjenerojë në ekonominë shqiptare një nga projektet më të mëdha të financuara nga jashtë, me përfitime të rëndësishme zinxhir për një sërë industrish, përfshirë manifakturën dhe transportin.
Pjesa më e madhe e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, veçanërisht vitet e fundit, ka qenë kryesisht në sektorin energjitik. Por shpesh shifrat e tyre kanë shkaktuar debat, pasi për disa ekspertë ato janë fryrë nga kompanitë e huaja konçesionare për të ulur barrën e taksave që duhet të paguajnë. (Top Channel)