Akti terrorist i 22 majit në Urumqi të Rajonit Autonom të Xinjiang Ujgurit, si pasojë e të cilit humbën jetën dhe u plagosën qytetarë të pafajshëm vazhdon të ngjallë reagime në komunitetin ndërkombëtar. Emigrantët kinezë anembanë botës e kanë dënuar ashpër sulmin, ndërsa shumë media të huaja janë shprehur se komuniteti ndërkombëtar duhet të kundërshtojë me forcë dhe vendosmëri aktet terroriste.
Në një deklaratë të Komitetit për paqen dhe të drejtat e njeriut në Australi thuhet se terrorizmi është armiku i përbashkët i njerëzimit dhe emigrantët kinezë në këtë vend përkrahin luftën e qeverisë kineze kundër terrorizmit.
Emigrantët kinezë në Belgjikë në një deklaratë theksojnë se terrorizmi ndaj qytetarëve të thjeshtë është një akt kundër njerëzimit dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Emigrantët kinezë në mbarë botën duhet të përkrahin qeverinë kineze në luftën kundër terrorizmit, thuhet në deklaratë. Duke iu referuar specialistëve, televizioni amerikan i Denverit në një transmetim të tij theksoi se vendi i zgjedhur nga forcat terroriste për sulm është një vend ku mblidhen njerëz të thjeshtë dhe qëllimi i tyre është dëmtimi i këtyre njerëzve të pafajshëm .
Në një artikull të botuar në revistën japoneze "The Diplomat" thuhet se terrorizmi në Kinë është një problem ndërkombëtar dhe jo vetëm një problem i Kinës.
Agjencia pakistaneze e lajmeve thekson se akti terrorist duhet të dënohet dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të garantojë sigurinë e jetës dhe të pronës së qytetarëve. (Çang Çuo)