Kina dhe Rusia publikuan të martën një deklaratë të përbashkët, ku angazhohen për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në shumë fusha.
Deklarata pasoi një takim midis presidentëve të të dy vendeve në një samit në Shangai.
Të dy udhëheqësit ishin të pranishëm gjithashtu në fillimin e një stërvitjeje të përbashkët ushtarake në detin e Kinës Lindore.
Sipas deklaratës, Kina dhe Rusia kanë premtuar rritjen e tregtisë dypalëshe nga 90 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2013 në 100 miliardë dollarë deri në 2015-n dhe 200 miliardë në vitin 2020.
Edhe pse nuk u nënshkrua marrëveshja e shumëpritur për gazin, të dy vendet janë zotuar për thellimin e bashkëpunimit në industrinë e naftës, për fillimin e furnizimit të Kinës me gaz natyror nga Rusia sa më shpejt të jetë e mundur dhe për shfrytëzimin e përbashkët të minierave të qymyrgurit në Rusi. (Artani)