Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u takua të dielën me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, që ndodhet në Shangai për të marrë pjesë në samitin e katërt të Konferencës për Ndërveprimin dhe Krijimin e Besimit në Azi.
Në takim Wang Yi shprehu dëshirën e Kinës për nxitjen e formimit të konceptit dhe të strukturës përkatëse për ruajtjen e sigurisë rajonale. Ai theksoi se çështjet e Azisë duhet të trajtohen nga vetë vendet e Azisë dhe vuri në dukje se këto vende janë në gjendje të mbrojnë paqen dhe stabilitetin rajonal.
Kryediplomati kinez vuri në dukje gjithashtu se OKB-ja është themeluar në bazë të fitores së Luftës së Dytë Botërore. "Prandaj bashkësia ndërkombëtare duhet të rritë vigjilencën ndaj veprimeve prapakthyese. Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina është edhe një forcë e mbrojtjes së barazisë, paqes dhe drejtësisë në botë. Ne do të vazhdojmë ta përkrahim punën e OKB-së," tha z. Wang Yi.
Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun u shpreh se vetëm nëpërmjet trajtimit në mënyrën e duhur të historisë, vendet e ndryshme mund të kenë të ardhme të përbashkët duke arritur pajtimin dhe bashkëpunimin. Ban falenderoi në emër të OKB-së Kinën për ndihmesën e rëndësishme që ka dhënë në nxitjen e paqes e të zhvillimit në botë dhe për rolin konstruktiv që ka luajtur në zgjidhjen e problemeve rajonale. Ai shprehu gatishmërinë e OKB-së për të forcuar më tej bashkëpunimin me palën kineze. (Zhang Yan/Artani)