Në ministerialin për "Bashkëpunimin ekonomik në Azi-Paqësor" (APEC) u ritheksua vendosmëria për hartimin e një plani lidhur me krijimin e Zonës së Tregtisë së Lirë në Azi-Paqësor. Vendimi u mor gjatë takimit vjetor të APEC-ut, ku ishin të pranishëm ministrat e tregtisë, që përfundoi të dielën në qytetin bregdetar të Kinës, Qingdao.
Përfaqësuesi i Ministrisë kineze të Tregtisë, Sun Yuanjing tha se APEC-u nisi në 2006 diskutimin formal të konceptit të Zonës së Tregtisë së Lirë në Azi-Paqësor, ndërsa tani dëshiron t'i japë procesit një dimension të ri. Sipas Yuanjing, propozimi për zonën e tregtisë së lirë nuk do të bjerë ndesh me planet e tjera në këtë rajon, siç është propozimi amerikan për Partneritetin Trans-Paqësor.
Udhërrëfyesi për krijimin e Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit pritet të përfundojë brenda vitit. Vitin e kaluar 21 vendet anëtare të APEC-ut kanë kontribuar me rreth 57% në GDP-në botërore dhe 46% në tregtinë botërore.(Eda Merepeza)