Presidenti Vladimir Putin ka deklaruar se bashkëpunimi mes Rusisë dhe Kinës ka shënuar një nivel të lartë dhe se duhet zgjeruar më tej. Ai e bëri këtë koment para nisjes së Samitit "Për ndërveprim dhe ndërtim të besimit në Azi", që zhvillohet më 20 dhe 21 maj në Shangai.
Putin do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kinë me rastin e pranisë së tij në samit dhe do të bisedojë me homologun kinez Xi Jinping për objektivat e bashkëpunimit në të ardhmen. Kreu i shtetit rus theksoi se të dy vendet duhet të kenë si përparësi rritjen e bashkëpunimit në ekonomi, shkencë dhe në teknologjinë e lartë.
Mbi 20 liderë ndërkombëtarë, mes të cilëve 11 kryetarë shtetesh do të marrin pjesë në samit. Pritet që vendet anëtare të Samitit të dalin me një deklaratë të përbashkët rreth forcimit të bashkëpunimit strategjik.
(Eda Merepeza)