Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të ShBA-së Jen Psaki u shpreh të dielën në një deklaratë se referendumi i zhvilluar po atë ditë në rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës Lindore synon "të provokojë ndarjen dhe trazirat e mëtejshme", prandaj ShBA-ja nuk e njeh rezultatin e këtij referendumi.
Gjatë zhvillimit të referendumit në dy rajonet lindore të Ukrainës, milicia vendore mori masa të rrepta për të siguruar mosndërhyrjen nga autoritetet ukrainase. Rezultati i referendumit në Luhansk do të bëhet të ditur të hënën ose të martën, ndërsa organizatorët e referendumit në Donetsk thanë se, për arsye të komunikimit jo të mirë me disa qendra votimi, nuk mund të caktojnë ende një datë të shpalljes së rezultatit.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Jen Psaki theksoi në deklaratën e saj që, sipas ligjit ukrainas, referendumi i nxitur nga "forcat separatiste" në këto dy rajone është "i paligjshëm", dhe njëkohësisht shkel ligjin ndërkombëtar e kërcënon tërësinë territoriale të Ukrainës.
Psaki u shpreh gjithashtu se Uashingtoni është "i zhgënjyer" nga Rusia, që nuk arriti të ndalojë referendumin dhe as nuk siguroi tërheqjen e trupave.
Zëdhënësja e diplomacisë amerikane shtoi se, nëse Moska vazhdon minimin e stabilitetit në Ukrainën Lindore dhe ndërhyn në zgjedhjet presidenciale ukrainase të 25 majit, ShBA-ja do ta bëjë Rusinë "të paguajë një çmim edhe më të madh". (Wang Xianya/Artani)