Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë rënë dakord për ngritjen e nivelit të marrëdhënieve dypalëshe në një partneritet strategjik. Gjatë bisedimeve me Merkelin të premten, Xi Jinping i cilësoi vitet që vijnë si tepër të rëndësishëm për reformat e zhvillimit në Kinë dhe Gjermani, si dhe për progresin e të dy vendeve. Kreu i shtetit i Kinës shtoi se Kina dhe Gjermania nuk janë vetëm partnerë ekonomikë, por ky partneritet zhvillohet dhe në bashkëpunimin politik dhe ekonomik.
Të dy liderët u ndalën dhe në nënshkrimin e disa marrëveshjeve, ku përfshihet dhe memorandumi i mirëkuptimit për përdorimin e monedhës kineze RMB në Frankfurt. Sipas analistëve, ky memorandum do të shënonte një hap përpara, për të kthyer qytetin gjerman të Frankfurtit në një qendër të përdorimit të RMB-së. (Eda Merepeza)