Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping u takua të martën në Hagë me kryeministrin e Britanisë David Kameron. Të dy udhëheqësit premtuan të forcojnë bashkëpunimin midis dy vendeve.
Xi Jinping tha se marrëdhëniet midis Kinës dhe Britanisë kanë hyrë në një kapitull të ri pas vizitës së Kameronit në Kinë në dhjetorin e vjetshëm. Ai bëri thirrje që të dyja palët të ruajnë shkëmbimet e nivelit të lartë në bazë të respektit reciprok dhe duke marrë parasysh preokupimet kryesore njëra-tjetrës, dhe do të forcojnë komunikimin dhe bashkëpunimin, duke shfrytëzuar plotësisht mekanizmat si takimi vjetor midis kryeministrit kinez dhe atij britanik dhe dialogun strategjik Kinë-Britani.
Të dyja palët, tha Xi , duhet të punojnë bashkërisht për të nisur projektet kryesore në energjinë bërthamore, në hekurudhën me shpejtësi të lartë dhe në fushën financiare, për të thelluar bashkëpunimin në arsim, shkencë e teknologji dhe media, dhe për të lehtësuar shkëmbimet njerëzore.
Kina vlerëson rolin e rëndësishëm të Britanisë në BE dhe shpreson se ajo do të luajë rol udhëheqës në nxitjen e studimit mbi zonën e tregtisë së lirë Kinë-BE.
Kameroni tha se pala britanike ka bërë përpjekje për zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën, është e gatshme të punojë me Kinën që të sigurojë rezultatin pozitiv të shkëmbimeve të nivelit të lartë dhe të mekanizmave të ndryshëm të dialogut dhe do të nxitë projektet kryesore të investimeve. Britania, shtoi ai, përkrah nënshkrimin sa më parë të marrëveshjes së investimeve BE-Kinë dhe do të luajë një rol aktiv në krijimin e zonës së tregtisë së lirë Evropë-Kinë. (Wang Lei/Artani)