Qeveria e Sirisë ka thënë se do të bashkëpunojë me OKB-në në sigurimin e ndihmës humanitare për të gjitha grupet e prekura në vend "pa dallim", njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve SANA të dielën, një ditë pasi OKB-ja miratoi një rezolutë për ndihmën humanitare në Siri.
Rezoluta e OKB-së kërkon "qasje të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar" të ndihmës humanitare të OKB-së në Siri, e cila po vuan nga një konflikt i armatosur trevjeçar midis qeverisë dhe grupeve të ndryshme kryengritëse.
Statistikat e fundit tregojnë se 9.3 milionë sirianë, gjysma e të cilëve fëmijë, kanë nevojë për kushtet bazë të jetesës. Rreth 2.5 milionë sirianë jetojnë në zona të bllokuara nga konflikti dhe rreth 1.9 milion fëmijë nuk mund të ndjekin shkollën. Miliona banorë të tjerë janë zhvendosur në vendet fqinje.