Presidenti Xi Jinping tha të hënën se roli i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe i qeverisë duhet të përmirësohet vazhdimisht, me synim promovimin e socializmit me karakteristika kineze. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë fjalës në një seminar në Shkollën e Partisë së Komitetit Qendror të PKK-së, duke u ndalur në çuarjen përpara të reformës, si një nga kërkesat e sesionit të 3-të të legjislaturës së 18-të të KQ të PKK-së. Duke iu drejtuar të pranishmëve në seminar, zyrtarë të pushtetit qendror dhe lokal, presidenti Xi, njëherësh sekretar i përgjithshëm i KQ të PKK-së, theksoi se "misioni i Partisë është gjetja e një sistemi zhvillimi "të qëndrueshëm dhe efektiv", në dobi të mirëqenies së popullit dhe stabilitetit afatgjatë të shoqërisë".
"Një sistem efektiv qeverisës ndodh vetëm kur Partia dhe zyrtarët përsosin ndershmërinë dhe aftësinë e tyre dhe kur përmirësojnë efikasitetin organet drejtuese, departamentet qeveritare, institucionet publike, ndërmarrjet dhe shoqëritë civile", nënvizoi presidenti kinez. Më tej në fjalën e tij Xi vuri në dukje se "edhe pse sistemi aktual i Kinës ka nevojë për përmirësim, KQ i PKK-së duhet të jetë i sigurt se ai paraqet rezultatet e zhvillimit gradual të bazuar në histori, kulturë dhe ekonomi".
Në përfundim të fjalës së tij në seminar, Xi tha se populli kinez është mendje hapur dhe i zbaton me përpikmëri ato që mëson. Kreu i shtetit të Kinës bëri thirrje për shtimin e përpjekjeve për të promovuar vlerat thelbësore socialiste si dhe për të ngritur një sistem vlerash me karakteristikat kineze, në përputhje me epokën e re, duke i cilësuar ato si një pjesë e rëndësishme e mirëqeverisjes. (Eda Merepeza)