Në drejtimin e shefit të OKB-së Ban Ki-moon nisi punimet Konferenca ndërkombëtare e paqes për Sirinë, në Montreux të Zvicrës. Në qendër të debatit mes palëve ishte largimi nga pushteti i presidentit sirian Bashar al Assad. Kreu i delegacionit qeveritar sirian, zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i jashtëm Walid Moallem theksoi se statusi i presidentit Assad përbën një "vijë të kuqe", e cila nuk vihet në diskutim. Ai akuzoi forcat rebele për krime kundër civilëve si dhe kritikoi ashpër mediat perëndimore, për përhapje të lajmeve "të rrema" për qeverinë siriane.
Nga ana e tij kreu i delegacionit opozitar sirian, njëherësh kryetar i "Lidhjes kombëtare", Ajmad Jarba akuzoi pushtetin e Assadit për krime dhe kërkoi nga përfaqësuesit qeveritarë sirianë të pranojnë kushtin për largimin e Assadit nga pushteti.
Në konferencën për shtyp sekretari amerikan i shtetit John Kerry theksoi se "Presidenti Assad e ka shndërruar Sirinë në një magnet për terroristët. Ne nuk mund ta shpëtojmë Sirinë me Assadin në pushtet", shtoi Kerry. Ndërsa ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov u shpreh se çeshtja siriane duhet të zgjidhet me dialog mes palëve, faktorit ndërkombëtar dhe duke u zbatuar parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të Sirisë. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së u shpreh se bisedimet për Sirinë pritet të jenë të vështira , por kanë perspektivë.(Du)