Koordinatori i posaçëm i delegacionit të përbashkët të OKB-së dhe Organizatës së Ndalimit të Armëve Kimike, Sigrid Kag ka deklaruar nisjen nga Siria me anije të grupit të parë të armëve kimike.
Sipas tij, lëndët e para kimike u transportuan nga dy vende të Sirisë dhe më pas u ngarkuan në një anije daneze në portin Latakia në veri të Sirisë. Në shoqërimin e anijeve daneze, novergjeze dhe siriane, anija transportuese do të ndalet në ujërat detare ndërkombëtare, duke pritur ngarkimin e më shumë materialeve. Gjatë këtij procesi, anijet ushtarake kineze, daneze, novergjeze dhe ruse do të garantojnë sigurinë e lundrimit të anijes.
"Kjo simbolizon fillimin zyrtar të transportimit dhe asgjësimit jashtë Sirisë të lëndëve të para për prodhimin e armëve kimike", shtoi Kag në deklaratë.
Po të martën, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki moon vlerësoi nëpërmjet zëdhënësit përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për shkatërrimin e armëve kimike në Siri. Siç mësohet, armët kimike dhe lëndët e para do të transportohen në një anije amerikane për tu asgjësuar para datës 30 qershor. Grupi i parë i tyre ishte parashikuar të largohej nga Siria në fund të vitit të kaluar, por si pasojë e situatës së tensionuar në vend u shty deri tani. (Zhang Yan/Eda Merepeza)