"Evergrande", i pari ekip kinez që ka fituar ndonjëherë Ligën e Kampioneve të Azisë, do t'i sfidojë kampionët europianë në gjysmëfinalen që do të luhet në stadiumin e qytetit Agadir të Marokut.
"Nuk e kishim të lehtë të mbërrinim në gjysmëfinale, por ne treguam se e meritojmë të jemi këtu. Nuk do të jetë e lehtë për të dy palët," u shpreh Lipi, i vetmi trajner që ka fituar si Ligën e Kampioneve të Europës, ashtu edhe atë të Azisë.
Edhe pse "Evergrande" mposhti kampionen e Afrikës "Al Ahly" në çerekfinale, Lipi thotë se skuadra e tij duhet të tregohet "realiste" kundër gjigantëve të futbollit gjerman.
"Duhet të jemi realistë. Duhet të bashkohemi e të luajmë në mbrojtje. Mund t'i krijojmë vështirësi (Bajernit) nëse shmangim gabimet që bëmë ndeshjen e kaluar. E sigurisht na duhet pak fat," u shpreh trajneri 65-vjeçar. (Artani)