Hyjnë sot në fuqi tarifat deri në 42.1 % për importet e xhamit solar nga Kina, pas vendimit të së mërkurës të Bashkimit Evropian. Në faqen zyrtare të Komisionit Evropian pretendohet se tregtarët kinezë shesin prodhimin që përdoret për panelet diellore në vendet e BE-së, me çmime nën kosto, duke u shkaktuar "dëm material" prodhuesve evropianë. Sipas Komisionit, nga hetimi anti-dumping i kryer në shkurt, taksat e përkohshme rriten nga 17.1% në 42.1%. Vendimi u mor pas "zgjidhjes miqësore të mosmarrëveshjes" për panelet diellore, mes Kinës dhe BE-së, në gusht të këtij viti.
Në njoftimin e Komisionit Evropian theksohet se këto masa do të zbatohen për një periudhë 6 mujore, por mund të zgjasin edhe 5 vjet, nëse 28 vendet anëtare të BE-së marrin një vendim përfundimtar lidhur me këtë çeshtje, në 27 maj të vitit të ardhshëm. (Eda Merepeza)